E vendosur rreth 25 kilometra larg qytetit, motel-restoranti Kulla e Jetimit ka prioritet të sajin strehimin dhe përkujdesjen ndaj shtresës më të ndjeshme të shoqërisë, jetimëve.

Fillet e Kullës së Jetimit kanë zënë vend rreth vitit 2000, e që kanë nisur të zgjerohen ditë për ditë.
Kemi filluar me një objekt të vjetër prej 10 ari vend, ndërsa me ndihmën e fondacioneve, sidomos të qytetarëve të Prizrenit dhe IHH-së ngritëm një objekt të ri. Në fillim mendonim të nisnim një ndërtesë tepër modeste, sa për t’i ndihmuar jetimët dhe pa mundësinë për të pranuar mysafirë. Ndërsa, ndihma e All-llahut bëri që të ngremë shtëpinë aktuale, me hapësirë të bollshme për jetimë dhe vizitorë të saj, me kënd argëtimi e parking veturash.

Jemi një staf që parimisht punojmë për jetimët, duke i ndihmuar ata në emër të All-llahut, në forma të ndryshme. Filluam me të ardhura personale, ndërsa gjithnjë e më shumë duke na u rritur përkrahja dhe mbështetja e vëllezërve tanë myslimanë, synojmë që fëmijëve pa prindër t’ua mundësojmë një jetë sa më normale.

Pozicioni ynë gjeografik në pjesën me bukurinë dhe ajrin më të rrallë në rajon siç është Prevalla, e bën Kullën më të përshtatshme për çdo punë, aktivitet dhe shërbim. Duke qenë se ajo është edhe larg zhurmave te makinave dhe larg stresit te përditshëm, gjithashtu është shumë e favorshme për turistet të cilët nuk e njohin këtë pjesë.

Nëse pyesni për ushqimin, në këtë vend ai është 95% natyral. Ndërsa, nëse pyesni se ku shkojnë të ardhurat e saj, ato të gjitha me sinqeritet derdhen për nevojat e jetimëve.

Jetimët që mbikëqyrim ne, jetojnë dhe janë të vendosur në shtëpitë e tyre, të xhaxhallarëve, tezeve e hallave të tyre. Por, herë pas here dhe jo rrallë jetimët e shoqatës Kalliri i Mirësisë bëhen pjesë e punës dinamike në Kullën e Jetimit gjatë sezonit veror. Por, edhe në periudhën shkollore gjatë ditëve të vikendit, ata mësojnë shumëçka në lidhje me logjikën e punës në restorant, punojnë dhe marrin zanat.

Pas më shumë se 14 vjet pune, Kulla e Jetimit është transformuar gradualisht në një vend kyç në Prevallë.
Është vendi i vetëm në Prevallë ku dëgjohet ezani i pesë kohëve të namazit duke mbetur edhe si vatër e shumë hoxhallarëve e kontribut-dhënësve të Dinit Islam.
Muaji i Shenjtë i Ramazanit, tubon dhe bashkon shumë njerëz në vendin tonë, duke maratonuar drejtë dijeve, virtyteve e ndihmës për njëri-tjetrin në emrin e All-llahut.


Një ndodhi për t’u mbajtur në mend gjatë ndërtimit të Kullës

Natyrisht, një punë e tillë si e jona ka të bëjë me mëshirën dhe gjymertllëkun e njerëzve të racave, feve, e kulturave të ndryshme. Dhe, si e tillë e ka vënë themeluesin e organizatës tonë, haxhi Kemajl Jonuzin në një situatë të paharrueshme.
Zoti ka krijuar popuj e kombe, por, ka tërhequr vërejtjen se këto s’kanë privilegj mbi njëra tjetrën. Ndërsa, disa individëve u ka dhënë Islamin si fe duke i ngritur me pastërtinë dhe çiltërsinë e kësaj feje në nivelet më të larta të njerëzores e humanes.
Por, jo rrallëherë njerëz të feve të ndryshme e të rritur me edukatë jo-Islame, kanë treguar maturi, mëshirë e dorëlirësi.
Në vitin 2002, kur “Kulla e Jetimit” kishte shumë nevojë për t’u zgjeruar edhe me një pjesë vend me rreth 15 ari, nuk po mundnim t’ia dilnim për disa arsye. Pronari i tokës që donim ta blinim e që ndodhej në megjën tonë ishte serb dhe vinte nga Kraljeva.
Ai quhej Bozhidar Stefanovic, ndërsa, edhe pse kishte marrë ofertën tonë për t’ia blerë tokën, ai kishte deklaruar se nuk posedon dokumentacionet e duhura për ta shitur. Por, as ne nuk i kishim 35 mijë eurot në dorë, çmim të cilin ai e kishte paracaktuar.
Për plotë gjashtë vjet, gjithçka u hesht. Asnjë kontakt midis haxhi Kemajlit dhe serbit.
Në ndërkohë një ditë në “Kullën e Jetimit” në Prevallë kishin ardhur katër vetë nga Turqia, pasi kishin dëgjuar ezanin, së bashku me një vendas shqipfolës të cilët më pas u ndalën për të falur namazin e drekës.
Ata kaluan tre ditë tek ne, ndërsa të katërtën shtruan një pyetje: Për çfarë kemi mundësi të ju ndihmojmë?
Meqë zgjerimi i vendit ishte i nevojshëm atë kohë e gjashtë vjet më herët, ne shprehëm mirëkuptim se për të mirën e jetimëve duhej zgjeruar hapësira, dhe këtë ua treguam atyre.
Ndërsa mysafirët nga Turqia, shkurt i kishin rënë edhe në përgjigje: Pas dy javësh eja në Stamboll dhe merri paratë! – kishin vendosur ata.
Tashmë ne kishim paratë në dorë, dhe po kështu i kishte dokumentet gati edhe serbi, me të cilën bëmë tregti dhe ia blemë vendin që e shfrytëzojmë nga ajo ditë edhe sot…
E veçanta e këtij tregimi në atë se çfarë kishte ndodhur në gjatë këtyre gjashtë vjetëve sa s’kishim kontaktuar fare me serbin. Atë e kishin lutur blerës të ndryshëm dhe i kishin ofruar atij para shumë më shumë se sa ne i kishim ofruar. Ndërsa ky kishte këmbëngulur vazhdimisht duke mos e shitur vendin dhe duke u thënë atyre: “Kjo tokë është e shitur!”. Deri në momentin që u paraqitëm ne përsëri, pas gjashtë vjetësh, për t’ia blerë atë pjesë të tokës së tij.
Kështu vëllezër dhe motra, Allahu kishte zbutur zemrën e një serbi për t’i shkuar në vend kaderi (caktimi) dhe risku i jetimëve të cilin ata edhe sot e gëzojnë.
Ndërsa në fund, serbi, e bën më se të qartë qëllimin e lënies peng dhe mosshitjes së tokës së tij të tjerëve, duke ndarë 150 euro nga paratë e veta dhe duke porositur pronarin e “Kullës” që me ato para t’ua shtronte jetimëve një drekë.
“Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju” – Kështu na informon Zoti Fuqiplotë nëpërmjet librit të famshëm të Tij, Kur’anit.
Ndërsa neve ky shembull le të na shërbejnë si meditim dhe si vetëdije shoqërore për t’u bashkuar në luftë kundër varfërisë, kundër padrejtësisë e të bëjmë më shumë për barazi midis shtresave shoqërore, si robër të Zotit dhe mysafirë në këtë botë që jemi.