Ideja për të hedhur një gur në të mirë të popullit kur ai po përballej me një pikë kritike të pasluftës në vitin 1999, duhej të merrte kuptim e të fokusohej në diçka shumë konkrete. Pikërisht kjo ide ishte konkretizuar më 1 shkurt të ‘99-tës në një organizatë humanitare të quajtur “Kalliri i Mirësisë”, me vendndodhje në Prizren.

Organizata jonë kishte dhe ka në fokus shtresën më të ndjeshme të shoqërisë, jetimët. E që, përpos Prizrenit, ata vijnë edhe nga vende të ndryshme si Peja, Gjakova, Prishtina e Mitrovica e më gjerë.
Edhe pse ndihmat tona kanë qenë prezent edhe para luftës, dëshironim që aktivitetit tonë t’i jepnim epitetin ‘organizatë’, për të funksionuar edhe zyrtarisht me emrin “Kalliri i Mirësisë”. Emër të cilin e huazuam nga një simotër e jona nga Maqedonia.

Duke synuar që e gjithë puna, fillim e mbarim të bëhej në emër të mirësisë, si shtysë parësore e jona ka qenë dhe vazhdon të jetë motivi dhe pikënisja fetare dhe ajo kombëtare.
Ishte jeta e profetit tonë të fundit, Muhamedit (alejhiselam), jetimit më të famshëm në botë: ajo që na stimulonte që ne t’u vinim në ndihmë kësaj shtrese të zgjedhur nga Zoti Fuqiplotë. Ndërsa, ndihma jonë do të ishte inekzistente pa mbështetjen e donatorëve nga Arabia Saudite, Turkia, Malajzia, Anglia dhe një pjesë e madhe nga vet qytetarët e Prizrenit.

Tash e 15 vjet, aktiviteti i organizatës tonë shtrihet në tri fusha kryesore:
E para: Në mbështetjen sociale ndaj jetimëve e familjeve të tyre me ndihma me të holla, ushqim, veshmbathje dhe higjienë,
E dyta: Në shkollim dhe arsimim të jetimëve me kurse të kompjuterit e gjuhës angleze,
Dhe, e treta: Në organizim aktivitetesh të ndryshme si: ekskursione e kampingje.

Mbështetjen sociale për jetimët e kemi filluar që nga periudha e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave Jugosllave në Kosovë me 55 jetimë, ndërsa gjithnjë në vazhdim ky numër ka qenë më i lartë.

Puna me jetimët gjithnjë po shtohet. Ndërsa rezultatet e arsimimit të jetimëve deri më tani kanë qenë shumë të kënaqshme. Shumica nga studentët që kemi ndihmuar së bashku tashmë janë të diplomuar në fusha të ndryshme, si: mjekësi, arkitekturë, elektro e shkenca të ndryshme, duke mos ndier asnjë mungesë për kushtet që u duheshin gjatë rrugës së vështirë për shkollim.

Nga ndërtesa modeste e “Kullës së Jetimit” ata sot prekin majat e arritshmërisë dhe suksesit.
A nuk është kjo vëllezër e motra të nderuar argument i mjaftueshëm që ju ta shtrini dorën për jetimët që dëshirojnë ta bëjnë të njëjtën gjë. Të cilët me dijen dhe punën e tyre, të nesërmen mësojnë, shërojnë, e ndriçojnë gjenerata të tëra…